
Fillon edicioni i pestë i Shkollës për Aktivizëm
11/06/2026Pas trajtimit të qeverisjes së brendshme si bazë për organizata më të qëndrueshme dhe më llogaridhënëse, edicioni i pestë i Shkollës për Aktivizëm vazhdoi këtë javë me modulin e dytë: Teknikat e mobilizimit të komunitetit.
Ky modul u shtjellua si një bazë e rëndësishme e punës së organizatave të shoqërisë civile, pasi veprimi i tyre merr kuptim kur ndërtohet mbi nevojat reale të komunitetit, përfshirjen aktive të qytetarëve/eve dhe bashkëpunimin për të adresuar çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre.
Roli i organizatave të shoqërisë civile është të jenë pranë komunitetit, të dëgjojnë dhe të kuptojnë nevojat e qytetarëve/eve, si dhe të krijojnë hapësira ku njerëzit mund të përfshihen, të kontribuojnë dhe të bashkëpunojnë për çështje të përbashkëta.
Në këtë frymë, moduli u fokusua në hapat kryesorë të mobilizimit komunitar: kuptimin e komunitetit, identifikimin e nevojave dhe aseteve të tij, ndërtimin e besimit, krijimin e bashkëpunimeve dhe zhvillimin e dialogut të qëndrueshëm ndërmjet qytetarëve/eve dhe organizatave që punojnë në shërbim të interesit publik.
Në sesionet e udhëhequra nga znj. Adelina Hasani, hulumtuese dhe publiciste, mobilizimi i komunitetit u trajtua si një proces demokratik dhe pjesëmarrës që synon të forcojë lidhjen ndërmjet organizatave dhe qytetarëve/eve. Përmes temave si demokracia deliberative, organizimi dhe zhvillimi i komunitetit, hartëzimi i komunitetit dhe qasja pjesëmarrëse, pjesëmarrësit/et diskutuan se si organizatat mund të ndërtojnë ndjenjë përkatësie, të përfshijnë zëra të ndryshëm dhe të krijojnë procese ku qytetarët nuk janë vetëm përfitues, por bashkëkrijues të ndryshimit.
Një pjesë e rëndësishme e modulit iu kushtua edhe hartimit të një Plani të veprimit për mobilizim komunitar. Përmes këtij ushtrimi, pjesëmarrësit/et patën mundësi të reflektojnë më konkretisht mbi aktorët kyç, asetet e komunitetit, nevojat, format e bashkëpunimit dhe hapat e nevojshëm drejt veprimit kolektiv.
Moduli u përmbyll me sesionin e udhëhequr nga z. Muhamet Hajrullahu, gazetar dhe ekspert i komunikimit, ku fokusi ishte te komunikimi, marrëdhëniet me publikun dhe mediat si pjesë e domosdoshme e mobilizimit komunitar. Për organizatat e shoqërisë civile, komunikimi nuk është vetëm promovim i punës së tyre, por mënyrë për të ndërtuar besim, për të shpjeguar kauzën, për të afruar qytetarët dhe për ta bërë ndryshimin më të kuptueshëm dhe më të prekshëm për publikun.
Shkolla për Aktivizëm organizohet në kuadër të Qendrës së Burimeve për Shoqërinë Civile.
Ky aktivitet bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të Suedisë.






