Dhjetëra nxënës të shkollave fillore përfshihen në aktivitete të avokimit dhe mbrojtjen e ambientit
01-06-2023
Përmes Granteve për Vullnetarizëm të Qendrës së Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë, dhjetëra fëmijë, nxënës të shkollave fillore janë përfshirë përgjatë këtij viti, në aktivitete të ndryshme që lidhen me avokimin në komunitet si dhe mbrojtjen e ambientit.
Përmes projektit “Programi i rinisë aktive në fshatin Balaj – Rri’ON”, rreth 40 nxënës/e të fshatit Balaj në Ferizaj, janë edukuar dhe aftësuar të jenë avokues/e të komunitetit. Ata/ato kanë zhvilluar aftësi të lidershipit dhe qytetarisë aktive, dhe po ashtu kanë arritur të njohin më mirë punën grupore duke u bërë kështu agjentë të ndryshimit në komunitet. Ata/ato tani janë në gjendje të analizojnë nevojat e komunitetit dhe në bazë të tyre të planifikojnë dhe realizojnë projekte vullnetare. Duke fuqizuar idetë e këtyre të rinjve, do të realizohen dy projekte inovative lidhur me përmirësimin e çështjeve me interes për komunitetin.
Kurse projekti i OJQ PIKA, “Ruaje ambientin, ruaje ardhmërinë”, ka realizuar disa aktivitete me nxënësit e komuniteteve të ndryshme të SHFMU “Motrat Qiriazi”, në komunën e Prizrenit. Rreth 70 nxënës të klasave 6-9, së bashku kanë pastruar ambientin në disa lokalitete, kanë vendosur tabela informuese, kanë mbjellë fidanë dhe kanë shpërndarë broshura informuese për qytetarët për mbrojtje të ambientit. Ky projekt ka për qëllim krahas vetëdijesimit të nxënësve edhe krijimin e një dialogu ndëretnik të mirëfilltë dhe bashkëpunues.
Sot, duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ky angazhim vullnetar i fëmijëve na motivon të gjithëve që të vazhdojmë avokimin për të mbrojtur, promovuar dhe festuar të drejtat e fëmijëve, dhe për të punuar për një të ardhme më të mirë për fëmijët në Kosovë.
Qendra e Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë, është projekt që bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Suedia, zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM).