Rreth 30 përfaqësues të OShC-ve ndjekin trajnimin dyditor mbi “Sistemet e burimeve njerëzore për OJQ-të”
25-04-2024
Rreth 30 përfaqësues/e të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, kanë ndjekur trajnimin dyditor mbi “Sistemet e burimeve njerëzore për OJQ-të”, organizuar nga Qendra e Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë.
Ky trajnim dinamik që u zhvillua në ambientet e #KCSF ofroi për pjesëmarrësit/et perspektiva të ndryshme lidhur me menaxhimin e burimeve njerëzore me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe përgatitjes së tyre përballë sfidave dhe mundësive që lidhen me administrimin e personelit dhe zhvillimin organizativ.
Roli dhe rëndësia e menaxhimit të burimeve njerëzore në organizata, procesi i rekrutimit dhe përzgjedhjes së punonjësve, intervistimi, diversiteti dhe përfshirja në rekrutim, menaxhimi i performancës dhe vlerësimi i punës, kultura dhe vlerat e organizatës si dhe aspekti ligjor ishin disa prej çështjeve konkrete që u adresuan përgjatë këtij trajnimi.
Qendra e Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë, është projekt që bashkë-financohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia dhe zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM).