Sesion informues për deklarimin vjetor financiar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) për OJQ-të në Prizren
13-03-2023
Sesioni informues për deklarimin vjetor financiar të OJQ-ve në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) është mbajtur në qytetin e Prizrenit.
Përfaqësues/e të Organizatave të Shoqërisë Civile (OShC) në këtë rajon, kanë marrë udhëzime për mënyrën e deklarimit të pasqyrave financiare dhe deklarimin vjetor të tatimit (CD) për OJQ.
Ligjëruesi Fatlum Gogiqi, ka ofruar shpjegime për çështje që kanë të bëjnë me obligimet e OJQ-ve në ATK, legjislacionin në Kosovë për deklarimin financiar, përdorimin e platformës së ATK-së për deklarim të tatimeve si dhe elementet themelore të pasqyrave financiare.
Njëkohësisht Isuf Zeqiraj, zyrtar i lartë për TVSH në kuadër të shërbimit për tatimpagues në ATK, ka ofruar mbështetje profesionale duke përcjellë tek OShC-të, udhëzimet për raportime financiare të institucionit që përfaqëson dhe duke ofruar shpjegime nga perspektiva institucionale për shumë çështje dhe detaje që po ngritën nga pjesëmarrësit/et.
Qendra e Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë gjatë këtij cikli të sesioneve informuese lidhur me deklarimin financiar të OJQ-ve në ATK, ka ofruar informacione të nevojshme rreth kësaj çështje për organizatat në: Prizren, Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë, Graçanicë, Pejë, Ferizaj dhe Prishtinë.