
THIRRJE PËR APLIKIM PËR OJQ-TË ME QARKULLIM VJETOR NËN 50,000 EUR: MBËSHTETJE ME SHËRBIME TË AUDITIMIT TË JASHTËM FINANCIAR
21/01/2026SHKOLLA PËR AKTIVIZËM 2026
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) ftojnë të gjitha organizatat e shoqërisë civile të aplikojnë në edicionin e pestë të Shkollës për Aktivizëm, një program edukativ i krijuar në kuadër të Qendrës së Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë për të fuqizuar dhe rritur ndikimin e organizatave të shoqërisë civile (OShC) në vend.
PËRSHKRIMI I PROGRAMIT:
Shkolla për Aktivizëm (Shkolla) është një hapësirë për edukim profesional dhe rritje të aktivizmit qytetar, e cila synon zhvillimin e shkathtësive dhe rritjen e kompetencës së OShC-ve me bazë në komunitet. Qëllimi i Shkollës është fuqizimi i prezencës së këtyre organizatave në komunitetet ku veprojnë duke rritur angazhimin e tyre në proceset politikëbërëse përmes avokimit dhe transparencës.
Shkolla ofrohet çdo vit për 20-25 OShC-të e përzgjedhura dhe përfshin 6 trajnime (module), secili me kohëzgjatje dy ditë. Këto module janë vlerësuar si tema dhe njohuri thelbësore për zhvillimin e organizatave dhe rritjen e ndikimit të tyre përmes punës që ato e bëjnë.
Deri më tani, programi ka dëshmuar ndikimin e tij duke certifikuar mbi 80 organizata dhe duke trajnuar mbi 360 përfaqësues/e të OShC-ve me një shpërndarje të gjerë gjeografike, sektoriale dhe përfaqësimi gjinor, përgjatë katër edicioneve të mëparshme.
OShC-të që e përfundojnë me sukses Shkollën për Aktivizëm do të kenë mundësinë të përfitojnë mentorim nga ekspertë të fushave të ndryshme, me synim zhvillimin e mëtejmë profesional dhe mbështetjen në zbatimin e strategjive dhe objektivave afatgjata të organizatës së tyre. Po ashtu, ato do të përfshihen në rrjete tematike dhe sektoriale të organizatave të shoqërisë civile, të cilat do të organizohen dhe mbështeten nga Qendra, duke mundësuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave mes akterëve të ndryshëm të shoqërisë civile në Kosovë.
Të gjitha trajnimet dhe mentorimi ofrohen pa pagesë për organizatat e përzgjedhura. Poashtu, për pjesëmarrësit/et nga jashtë Prishtinës do të bëhet edhe kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit.
ÇFARË OFRON PROGRAMI?
Programi i Shkollës ofron mbështetje të specializuar për zhvillimin e organizatave të shoqërisë civile, duke ndihmuar në forcimin e kapaciteteve të tyre në fushat kyçe. Programi i Shkollës është i strukturuar në gjashtë module, secili me fokus të thelluar në:
- Moduli 1: Qeverisja e brendshme për OShC-të
- Moduli 2: Integrimi gjinor
- Moduli 3: Vlerësimi i ndikimit dhe ngritja e fondeve
- Moduli 4: Diversifikimi i burimeve financiare
- Moduli 5: Avokimi pjesëmarrës
- Moduli 6: Teknikat e mobilizimit të komunitetit
ÇFARË DO TË PËRFITOJNË PJESËMARRËSIT:
Pas përfundimit të moduleve trajnuese, secila OShC pjesëmarrëse do të jetë në gjendje:
- Të kuptojë më mirë organizimin, qeverisjen e brendshme të organizatës;
- Të hartojë një strategji apo plan të qartë të aktivitetit për realizim të qëllimeve të organizatës;
- Të përfshijë integrimin gjinor në kuadër të aktiviteteve të brendshme dhe me palë të jashtë organizatës;
- Të krijojë strategji më të mirë për ngritjen e fondeve, planifikimin dhe zbatimin e projektit;
- Të marrë pjesë në proceset e vendimmarrjes, në nivel lokal dhe qendror, me njohuri më të mira të metodave të avokimit pjesëmarrës;
- Të kuptojë më mirë dhe të jetë më kompetente në aplikimin e teknikave të mobilizimit të komunitetit;
Përgjatë pjesëmarrjes në Shkollë, dhe pas përfundimit të Shkollës pjesëmarrësit do të kenë mundësi që të përfitojnë:
- Mentorim dhe këshillim të vazhdueshëm nga ekspertë për adresim dhe avancim të çështjeve specifike të organizatës;
- Rrjetëzim dhe bashkëpunim me organizata tjera të shoqërisë civile për angazhim të përbashkët në nisma avokuese, adresim të nevojave të komunitetit, etj.
MËNYRA E APLIKIMIT:
Të drejtë aplikimi kanë të gjitha organizatat e shoqërisë civile që janë të regjistruara apo veprojnë në Kosovë. Secila OShC duhet të propozojë 2 deri në 6 anëtarë të stafit bazuar në përgjegjësitë e tyre brenda organizatës për të marrë pjesë në modulet e Shkollës.
Aplikantët duhet të japin informatat e tyre, duke plotësuar formularin përmes sistemit të aplikimit online.
KRITERET E PËRZGJEDHJES:
- Është Organizatë e Shoqërisë Civile, e regjistruar në Kosovë;
- Ka si synim dhe interesim përfshirjen e qytetarëve/eve në punën e organizatës;
- Aplikacioni është i plotësuar tërësisht, dhe ofron përgjigje të plota për të gjitha pyetjet;
- Organizata ka propozuar një ekip prej 2 deri në 6 anëtarë të stafit të angazhuar në fushat përkatëse;
- Pjesëmarrja në Shkollë është e lidhur me objektivat strategjike të organizatës dhe kontribuon në realizimin e tyre;
- Organizata paraqet qartë se si përfshirja në program do të kontribuojë në angazhimin e organizatës për përfshirjen e komunitetit në misionin e saj;
- Organizata tregon se ka vullnet për zhvillim të kapaciteteve, bazuar në nevojat e identifikuara.
Vetëm OShC-të e përzgjedhura do të kontaktohen përmes e-mailit. Qendra e Burimeve të Shoqërise Civile, në bashkëpunim të ngushtë me OShC-të e përzgjedhura do të bëjë edhe caktimin e anëtarëve pjesëmarrës në secilin modul.
Pas përfundimit të Shkollës, secili pjesëmarrës do të pajiset me certifikatë të pjesëmarrjes.
DORËZIMI I APLIKACIONEVE:
OShC-të e interesuara duhet të plotësojnë aplikacionin përmes sistemit të aplikimit online.
Për udhëzime rreth regjistrimit dhe përdorimit të sistemit online të aplikimit, ju lutemi referojuni informatave që mund t’i gjeni në faqen e internetit të sistemit online të aplikimit.
Vetëm aplikacionet që përmbushin të gjitha kërkesat e specifikuara në këtë thirrje dhe formular të aplikimit do të merren parasysh.
Afati i fundit për aplikim është 20 maj 2026, ora 23:59.
Të gjitha pyetjet ose kërkesat për informata shtesë që keni në lidhje me Shkollën ose me procesin e aplikimit, mund t’i dërgoni përmes postës elektronike në rc-kosovo@kcsfoundation.org.
Ky aktivitet bashkëfinancohet nga Bashkimit Evropian dhe Suedia. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të Suedisë.






