Grantistët nga Skema e Granteve për Vullnetarizëm 2021
Grantet për vullnetarizëm kanë për qëllim arritjen e rezultateve konkrete brenda një kornize të caktuar kohore. Përfituesit e këtyre granteve mund të jenë individët, iniciativat e paregjistruara dhe organizatat joqeveritare që prezantojnë propozimet më bindëse dhe më kreative, të cilat kanë potencial të lartë për t’i angazhuar qytetarët dhe qytetaret e Kosovёs nё adresimin e çështjeve tё komunitetit ku ata jetojnё.
Në vijim paraqiten përmbledhje të prezantimeve të projekteve të shtatë organizatave/inicativave që kanë përfituar në kuadër të kësaj skeme të granteve gjatë vitit 2021.
Organizata: Kosova’s Organization of Medical Students
Projekti: “Healthcare is a Human Right”
Projekti “Healthcare is a Human Right” në thelb përmban promovimin e shëndetit publik tek grupet e margjinalizuara të shoqërisë.
Përmes këtij projekti synohet rritja e shkallës së edukimit mjekësor të këtij komuniteti për sëmundjet fatale siç është kanceri i gjirit, dhe sëmundjet kronike si hipertensioni dhe diabeti duke siguruar ‘screening’ të komunitetit target për këto sëmundje dhe duke ofruar edukim shëndetësor nëpërmjet informacioneve, qasja në të cilën mund të jetë e kufizuar për këtë grup të margjinalizuar të shoqërisë.
Rezultatet e pritura janë rritja e numrit vjetor të grave nga komuniteti romë, ashkali dhe egjiptian që i nënshtrohen mamografisë si dhe informimin e grave të këtij komuniteti mbi rëndësinë e kontrolleve sistematike; rritja e numrit të kontrolleve shëndetësore dhe kujdesit për sëmundje siç janë diabeti dhe hipertensioni. Këto shërbime do të ofrohen për anëtarët e komunitetit romë, ashkali dhe egjiptian të komunës së Ferizajit dhe Fushë Kosovës. Mamografitë do të mundësohen nga aspekti logjistik nëpërmjet angazhimit vullnetar të anëtarëve të KOMS (student të Fakultetit të Mjekësisë dhe doktorë të rinj) në klinika private që ofrojnë këtë shërbim si dhe kontrollet shëndetësore do të mbahen nga po këta vullnetarë. Buxheti i këtij projekti është në vlerë 5 mijë euro.
Organizata: Qendra Këshilluese e Biznesit në Mitrovicën e Veriut (PSCMS)
Projekti: “Promovimi i vullnetarizmit dhe ndihma ndaj qytetarëve të cenueshëm në Mitrovicën e Veriut me ndihmën e asistentit të parë virtual në Kosovë”
Projekti “Promovimi i vullnetarizmit dhe ndihma ndaj qytetarëve të cenueshëm në Mitrovicën e Veriut me ndihmën e asistentit të parë virtual në Kosovë”, është rezultati i ndikimit negativ të pandemisë së Covid-19 ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës, veçanërisht në Mitrovicë të Veriut. Gjatë vitit 2020 dhe 2021, është ndryshuar në masë të madhe përditshmëria në shumë sfera të jetës, teksa organizata PSCMS përmes punës së saj dhe aktiviteteve gjatë periudhës më kritike 2020 dhe 2021 ka identifikuar qytetarët më të cenueshëm. Në këtë grup përfshihen të moshuarit dhe të sëmurët, pakicat dhe njerëzit me nevoja të veçanta. Qendra Këshilluese e Biznesit në Mitrovicën e Veriut ndjen përgjegjësinë qytetare dhe nevojën për të ndërhyrë dhe zvogëluar në mënyrë të vazhdueshme mundësinë e sëmurjes dhe përhapjes së virusit në mesin e qytetarëve më të rrezikuar. Në mënyrë konkrete, gjatë periudhës katër mujore, ekipi i PSCMS-së përmes asistentit të parë virtual në Kosovë do të mundësojë pajisjen me dokumente personale pa praninë e detyrueshme në ndërtesën e komunës së Mitrovicës së Veriut. Gjithashtu, vullnetarët do t’u mundësojnë qytetarëve shpërndarjen e ilaçeve dhe ushqimeve themelore gjatë periudhës më kritike të vitit. Të paktën 200 qytetarë do të jenë përdorues të shërbimeve të kësaj organizate gjatë kohëzgjatjes së projektit.
Për t’i arritur rezultatet e mësipërme, përveç personelit të organizatës do të angazhohen edhe dhjetë vullnetarë të rinj, për të promovuar vullnetarizmin dhe për t’u ofruar mundësi të rinjve që t’i ndihmojnë bashkëqytetarët e tyre. Gjithashtu, duke pasur parasysh që puna vullnetare nuk përfaqësohet sa duhet në komunën përkatëse, do të punohet në zgjerimin e kapaciteteve të të rinjve përmes vizitave studimore dhe shkëmbimit të përvojave. Organizata PSCMS, për këtë iniciativë ka marrë mbështetjen e Komunës së Mitrovicës së Veriut. Buxheti i kësaj iniciative është 4.030 euro.
Iniciativa: Klubi i Etikës
Projekti: “Shëndeti mendor i studentëve gjatë periudhës së provimeve”
Duke u bazuar në kornizën logjike të problemeve të realizuar nga Klubi i Etikës përmes anëtarëve të klubit kemi vendosur ta trajtojë temën e shëndetit mendor të studentëve përgjatë kohës së studimeve dhe qëllimi i përgjithshëm i projektit është promovimi i një shëndeti më të mirë mendor tek studentët përgjatë periudhës së provimeve në studime. Rezultatet e pritura të projektit janë që studentët e përfshirë në aktivitete do të marrin njohuri dhe t’i praktikojnë format që ndihmojnë në të pasurit e një shëndeti më të mirë mendor gjatë provimeve, po ashtu që të ulen format e përkeqësimit të shëndetit si: ankthi stresi tek studentët përmes aktiviteteve si kampi njëditor, garat në futboll, volejboll etj. Në projekt të angazhuar do të jenë studentët e gjitha viteve të Fakultetit Juridik dhe fakulteteve tjera të UP si dhe stafi akademik. Buxheti i projektit është 4755 euro, ndërsa kohëzgjatja 5 muaj. Lokacioni i realizimit të aktiviteteve është Fakulteti Juridik – UP.
Iniciativa:Gentione Gigollaj Shalaj
Projekti “Mësimdhënia mbështetëse përmes punës vullnetare për fëmijët me aftësi të kufizuara”
Projekti “Mësimdhënia mbështetëse përmes punës vullnetare për fëmijët me aftësi të kufizuara”, ka për qëllim të përgjithshëm që të mbështes në mësim, fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, të cilët startojnë për herë të parë me shkollimin fillor. Kjo synohet të arrihet përmes bashkëpunimit të Organizatës HandiKos Prizren, shkollave përkatëse ku vijon mësimin nxënësi dhe studentëve absolvent të Fakultetit të Edukimit, Programi Fillor të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” duke u bazuar në Planin Individual të Arsimit të nxënësit përkatës. Ky projekt do të implementohet në Komunën e Prizrenit, ku mësimi mbështetës do të ofrohet nga studentët absolvent në bashkëpunim me mësimdhënësit përkatës të fëmijës, në hapësirat e OJQ-së Handikos, ku përfituesit kryesorë do të jenë fëmijët me aftësi të kufizuara, që janë anëtarë të kësaj organizate dhe që kanë nevoja të veçanta arsimore, dhe i cili projekt do të zgjasë gjashtë muaj, me një kosto 4,950.00 Euro.
Organizata: OJQ “Agromedicinë”
Projekti: “Kopshtet edukuese në shkolla me bimë aromatike për pastrimin e ajrit dhe promovimi i angazhimit qytetar për mbrojtjen e mjedisit në hapësira publike “
Ideja e projektit “Kopshtet edukuese në shkolla me bimë aromatike për pastrimin e ajrit dhe promovimi i angazhimit qytetar për mbrojtjen e mjedisit në hapësira publike”, është angazhimi vullnetar i nxënësve, këshillit drejtues të shkollës dhe anëtareve të shoqatës Agromedicine për të krijuar kopshte edukuese. Kopshtet do të krijohen në 5 shkolla me 10 lloje të bimëve aromatike shumë vjeçare të cilat ju takojnë llojit gjethëmbajtëse, në mënyrë që të krijohet një mjedis ekologjik, i shëndetshëm, relaksues dhe me plot klorofil edhe gjatë stinëve të vjeshtës dhe dimrit.
Kopshtet edukuese ose parqet në shkolla të Prishtinës do të krijohen me qëllim që të edukohet brezi i ri për mjedis ekologjik dhe jetë të shëndetshme dhe të promovohet angazhimi vullnetar i akterëve të ndryshëm: nxënës, mësimdhënës, prindër dhe shoqëri civile.
Nga vullnetarizmi si rezultat kryesor vjen freskimi natyral i ajrit, gjelbërimi i mjedisit dhe mbrojtja e ambientit duke e ngrite edukatën dhe kulturën mjedisore. Projekti do të zgjas 6 muaj dhe do të realizohet në Prishtinë me një buxhet total 4850 euro.
Organizata: Shoqata e Pronarëve të Pyjeve Private “Pashtriku” Gjakovë
Projekti: “Dorë për dore me natyrën”
Projekti “Dorë për dore me natyrën” , ka qëllim të zhvillojë një kuptim dhe zbatim gjithëpërfshirës të masave efektive të parandalimit të ndotjes dhe pastrimit të mbetjeve nga vizitorët e zonave turistike të fshatrave të Hasit të Gjakovës përmes zhvillimit të kapaciteteve të komunitetit, e në radhë të parë të komunitetit të rinjve të këtyre fshatrave.Qëllimi i aksionit është zhvillimi i një kuptimi gjithëpërfshirës dhe zbatimi i masave efektive për parandalimin e ndotjes dhe pastrimit të mbeturinave nga vizitorët në zonat turistike të fshatrave të Hasit të Gjakovës përmes zhvillimit të kapaciteteve të komunitetit, në radhë të parë të komunitetit të të rinjve të këtyre fshatrave. Përmes projektit synohet ndërgjegjësimi dhe angazhimi i komunitetit për mbajtje pastër dhe ruajtje të ambientit nga ndikimet e mbetjeve: organike dhe inorganike si pasojë e frekuentimit të pikave turistike, peizazheve dhe mjediseve natyrore, ndihma në vendosjen e shportave për selektimin e hedhurinave përgjatë shtigjeve frekuentuese nga vizitorët dhe me punë vullnetare të komunitetit do të organizojë grumbullimin e këtyre mbetjeve nga ambientet e Shpellave të Kusarit dhe shtigjeve për të shkuar te këto pika turistike. Gjithashtu projekti do të mundësojë që mbeturinat e grumbulluara dhe të selektuara të grumbullohen nga ricikluesit e licencuar, kurse për ato organike të demonstrohet kompostimi i tyre në shkallë të vogël – me fokus në familje.
Nga kurset edukative me nxënësit pritet që të edukohen 25 nxënës të cilët në një të ardhme do të kenë predispozita të jenë ambientalistë vullnetarë dhe të cilët do të përkujdesen për ndërlidhje “Dorë për dore me natyrën” për të ardhmen e tyre dhe të gjeneratave pasuese
Organizata: RENESANSA – Shoqata e grave në luftë kundër kancerit të gjirit
Projekti: “Vullnetarizmi në Race for the Cure 2022″
Kanceri i gjirit është sëmundja më e zakonshme e kancerit tek gratë – arsyeja e pestë për vdekshmërinë në të gjithë botën dhe arsyeja e parë në Evropë .
Mundësia e zhvillimit të kancerit të gjirit është një burim ankthi për shumë gra. Në këtë kontekst, vetëdijësimi për detektimin e hershëm të kancerit të gjirit tek gratë dhe vajzat është shumë i rëndësishëm, marrë parasysh që Kosova ka një popullsi ku dominon dukshëm mosha e re.
Në Kosovë vazhdimisht organizohen fushata vetëdijësimi për gratë që të bëjnë kontrolle të shpeshta, në mënyrë që sëmundja të zbulohet me kohë, sepse kanceri i gjirit, i diagnostikuar në një fazë të mëvonshme, mund të jetë më i vështirë për t’u trajtuar.
Këto fushata vetëdijësuese përveç që synojnë ngritjen e vetëdijes së popullatës për rrezikun e kancerit të gjirit, gjithashtu bëjnë përpjekje që të nxisin institucinet përgjegjëse për krijimin e kushteve për zbulimin e hershëm të sëmundjes dhe trajtimit të saj.
Me mbështetjen e organizatës ombrellë Think Pink Europe, ku bëjnë pjesë rreth 30 organizata evropiane, Shoqata ‘Renesansa” e cila është e anëtarësuar në këtë rrjet i është bashkuar iniciativës për të kontribuuar në përmirësimin dhe përshpejtimin e shkëmbimit të informacionit dhe praktikave më të mira për kujdesin shëndetësor ndaj kancerit të gjirit.
Në kuadër të aktiviteteve të Think Pink Europe, sikurse në vendet tjera evropiane, në Kosovë çdo vit organizohet martaona Race For the Cure, aktivitet ky i cili i shërben senzibilizimit të popullatës për kancerin e gjirit dhe përqendrohet në zvogëlimin e pabarazive të qasjes në kujdesin shëndetësor dhe mbylljen e hendekut të kujdesit shëndetësor midis vendeve evropiane.
Shoqata “Renesansa” vazhdon që të ndihmojë në baza vullnetare gratë e prekura nga kanceri i gjirit duke u ofruar atyre mbështetje që të përballojnë sa më lehtë trajtimet, rehabilitim psiko social pas trajtimeve mjekësore, mbështetje për familjet e personave të atakuar nga sëmundja, si dhe ndihmë materiale të nevojshme pas trajtimeve si psh: perika, proteza etj.
Race for the Cure Kosova 2022- Edicioni i 4 zakonisht mbahet në të dielën e fundit te shtatorit ku kremtohet mbijetesa e personave me kancer te gjirit, inkurajimi i pacienteve ne trajtim si dhe përkujtimi i atyre që kanë humbur betejën me këtë sëmundje. Vlera e këtij projekti është 4,930 euro.